AlbanianSport.com 02.03.2016 13:25
ASNN – Mediat angleze alarmojnë UEFA-n, pasi, sipas tyre, klubet e mëdha të Evropës po mendojnë të largohen nga Liga e Kampioneve në formatin e saj aktual. Kështu, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të futbollit të kontinentit rrezikon shpërbërjen. Kjo të paktën sipas mediave angleze, të cilat lajmërojnë largimin e skuadrave më të mëdha nga kjo veprimtari.
Tabloidi britanik “The Sun” ka zbuluar një takim sekret mes administratorëve të deleguar të Mançester Junajtid, Mançester Sitit, Çelsit dhe Arsenalit, ku është diskutuar krijimi i mundshëm i një turneu të ri, që do të quhet Superliga e Evropës dhe ku përveç katër klubeve angleze do të marrin pjesë ndër të tjera edhe Milani, Barcelona, Reali i Madridit dhe Bajerni i Mynihut.
Në ndryshim nga Liga e Kampioneve dhe Liga e Evropës, formati i këtij turneu parashikon pjesëmarrjen e këtyre skuadrave pa patur nevojë për fazën eliminatore, çka do të thoshte një spektakël i garantuar mes emrave më të mëdhenj të futbollit në kontinentin e vjetër. Ky projekt parashikon edhe përfitime marramendëse nga reklamat dhe e drejta televizive.
Megjithëse realizimi i këtij projekti është ende i largët, ai sigurisht që nuk është pritur mirë nga UEFA, madje sipas tabloidit britanik ka alarmuar së tepërmi organizmin që qeveris futbollin evropian, që i ka kërkuar informacion klubeve angleze. Kjo gjë duket se ka detyruar këta të fundit të sqarojnë pozicionin e tyre me një komunikatë për shtyp. Ata kanë pranuar se janë takuar, por duke theksuar se tema e bisedimeve ka qenë modifikimi i kalendarit të kampionatit anglez për ta përshtatur me atë të Kupave të Evropës.