AlbanianSport.com 31/01/2021 18:40
ASNN – Laçi dhe Tirana, fitore minimale, Partizani dhe Vllaznia ndajnë pikët në Stadiumin “Elbasan Arena”. Pasi ka luajtur të shtunën dy takimet e para, Kategoria Superiore ka luajtur të dielën 3 takimet e para të javës së 17-të dhe pasdreke u zhvilluan dy prej tyre. Ndërkaq, në mbrëmje është përballja e fundit, Partizani-Vllaznia, që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën pasdreke dy takime të tjera të javës së saj të 17-të dhe të dyja përballjet kanë dhuruar secila nga një gol të vetëm. Kështu, në Laç, skuadra vendase ka mundur minimalisht Teutën, duke u dhënë një goditje shpresave të durrsakëve për kreun dhe duke u vënë vetë në ndjekje të Vllaznisë kryesuese.
Goli i Mentor Mazrekajt në minutën e 35-të u ka mjaftuar laçjanëve të marrin 3 pikët e plota, edhe pse Nuabueze shkoi dëm edhe një 11-metërsh në pjesën e dytë. Ndërkaq, në Fier, Taulant Seferi i ka dhënë Tiranës një triumf minimal, por mjaft të vyer ndaj Apolonisë, duke i dhënë njëkohësisht trajnerit të ri, Orges Shehi një nisje me fitore në krye të stolit të bardhebluve kryeqytetas.
Me këtë fitore, Tirana mbetet në vendin e 6-të, por tanimë në kuotën e 23 pikëve. Dy takimet e para të javës së 17-të u luajtën të shtunën dhe Kastrioti mundi minimalisht Bylisin, ndërsa Kukësi i dha trajnerit të ri, Mirel Josa, një fitore të thellë, 4-0 në Korçë ndaj Skënderbeut. Takimi i fundit i kësaj jave është ai që është që u luajt të dielën në mbrëmje në Stadiumin “Elbasan Arena”, midis Partizanit dhe Vllaznisë.
Takim që u mbyll me rrjeta të paprekura, teksa të dyja skuadrat e luajtën gjysmëorën e fundit me 10 lojtarë dhe loja u ndikua mjaft nga terreni i rënduar i fushës. Vllaznia kryeson renditjen me 37 pikë, 9 pikë më tepër se Partizani i vendit të dytë dhe 10 më tepër sesa Laçi dhe Teuta.