AlbanianSport.com 26.11.2016 19:35
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që e ka ngritur të premten siparin e javës së saj të 12-të me takimin midis Flamurtarit dhe Vllaznisë, që u fitua nga shkodranët me një gol të vetëm, i ka luajtur të shtunën ndeshjet e tjera.
Kukësi dhe Tirana janë ndarë me rrjeta të paprekura të shtunën, në takimin që luajt në Stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe u soll sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kukësi ngjitet në kuotën e 24 pikëve, por mbetet në vendin e dytë, me 2 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, që ka fituar të shtunën 1-0 në Laç, ndërsa Tirana ngjitet në kuotën e 21 pikëve.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme javën e 12-të të Kategorisë Superiore, në dy takimet e tjera të së cilës Korabi dhe Luftëtari shënuan nga një gol dhe ndanë nga një pikë secila në barazimin 1-1 dhe Partizani mundi Teutën 1-0 në Elbasan, me një gol të Ekubanit.