AlbanianSport.com 10/12/2018 14:45
ASNN – River Plejt fiton Kupën “Libertadores”, mposht Boka Zhunjors pas 120 minutash dramatike në “Bernabeu”. Kalvari i finales së madhe të kupës “Libertadores” mori fund me zhvillimin në Madrid të duelit të madh, “Klasikes” River Plejt-Boka Zhunjors. Pasi ishte shtyrë dy herë, ishte përcaktuar Stadiumi “Santiago Bernabeu” për të pritur këtë ndeshje dhe të dielën në mbrëmje, River Plejti fitoi pas një dueli dramatik prej 120 minutash me rezultatin 3-1.
Duhet thënë se ndeshja e parë e luajtur në Buenos Aires midis dy gjigandeve të futbollit argjentinas, ishte mbyllur në barazim 2-2. Por rregullorja e Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), lejon dy finale dhe kur rezultati shkon barazim, në çdo rrethanë ndeshja shkon në shtesë. Dueli i sotëm i luajtur në Madrid u mbyll në barazim 1-1 në kohën e rregullt 90-minutëshe, dhe në bazë të rregullores që nuk merr parasysh golin në fushë kundërshtare, u desh të luhej koha shtesë.
Kohë që i buzëqeshi River Plejtit, që shënoi në 10 minutat e fundit të takimit dy gola, për të bërë të vetin trofeun e Kupës “Libertadores”. Daniele Benedeto shënoi i pari në këtë ndeshje, pikërisht në fundin e pjesës së parë, duke i dhënë epërsinë Boka Zhunjorsit. Në këtë fraksion loje, Boka e dominoi fort ndeshjen dhe krijoi mjaft raste shënimi, por topin në rrjetë e çoi vetëm një herë. Në pjesën e dytë, River Plejti e barazoi rezultatin në minutën e 67-të me Lukas Prato.
Koha e rregullt 90-minutëshe u mbyll 1-1, prandaj u desh të luhej koha shtesë. 15 minutat e shtesës së parë nuk prodhuan gola, por në 15-minutëshin e dytë ndodhi përmbysja e madhe në favor të River Plejtit. Në minutën e 110-të Huan Kuintero shënoi golin e epërsisë për Riverin, ndërsa në minutën e fundit shënoi edhe Gonzales golin e tretë, duke i dhënë fitoren përfundimtare 3-1 skuadrës së tij, rrjedhimisht edhe trofeun e madh të Kupës “Libertadores”.
Në fakt, Boka e luajti thuajse të gjithë shtesën 30-minutëshe me një lojtar më pak dhe kjo ndikoi në paraqitjen e skuadrës dhe për pasojë edhe në disfatën e Boka Zhunjorsit. Barrios mori kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht doli me karton të kuq, një ngjarje që diktoi rrjedhën e ndeshjes në kohën shtesë. Tashmë në Argjentinë do të kthehen të gëzuar vetëm tifozët e River Plejtit, kurse trishtimi i atyre të Boka Zhuniorsit ishte i madh.
Sidoqoftë, Kupa “Libertadores” këtë edicion, pas një udhëtimi maratonë të finales që zgjati gati një muaj, shkon për River Plejtin.