AlbanianSport.com 10.04.2016 08:35
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si grupi A1, ka mbyllur dje me ndeshjet e javës së tij të 14-të fazën e rregullt të këtij sezoni, që më pas do të vijojë me sfidat e “play-off”-it.
Në atë që ishte padyshim sfida më e bukur e këtij sezoni, Tirana e trajnerit Adrian Gorenca, jo vetëm që ka qenë “super” në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, por i ka dhënë leksion, si dhe një “dush të ftohtë” kampionëve në fuqi, Barletit Volej.
Në përfundim Tirana ka fituar me shifrat 3-1 dhe sot është kryesuese e denjë e volejbollit të femrave dhe me një përqindje shumë të madhe për t’u shpallur “kampione”, sepse ka treguar që e meriton një trofe të tillë, të paktën për skuadrën që ka.
Ndërkohë, Skënderbeut i janë dashur vetëm 45 minuta lojë për të mbyllur fitoren e djeshme 3-0 ndaj Flamurtarit. Korçaret kanë fituar edhe ndeshje të tjera në shtëpi në këtë sezon, por në një kohë kaq të shkurtër si ajo e djeshmja nuk kishte ndodhur.
Ndërsa në kryeqytet, Teuta, e mbështetur fort tek eksperienca e Begiçit dhe Guzës, por dhe pa një organizatore të mirëfilltë, ia ka dalë të fitojë ndaj Partizanit, 3-0, dhe të hyjë në katërshen e më të mirave.
Në takimin e fundit të javës, Elbasani nuk ia del të fitojë qoftë edhe një set përballë Vllaznisë në volejboll për femra, ndërsa është mundur dje 0-3 në shtëpi, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 14-të
(9 prill 2016)
Partizani – Teuta 0-3
Barleti Volej – Tirana 1-3
Skënderbeu – Flamurtari 3-0
Elbasani – Vllaznia 0-3
Renditja
Nr. Skuadra N F H Setet Pikë
- Tirana 14 13 1 40-4 39
- Barleti Volej 14 13 1 40-4 39
- Skënderbeu 14 10 4 30-16 28
- Teuta 14 6 8 23-26 20
- Vllaznia 14 6 8 21-26 18
- Partizani 14 6 8 18-28 18
- Elbasani 14 2 12 9-36 6
- Flamurtari 14 0 14 1-42 0