AlbanianSport.com 22/04/2020 17:55
ASNN – Në fakt po bëhet si një “lojë kungulleshkash”, por vetë gjendja e krijuar nga një virus i panjohur dhe aq më pak i paparashikueshëm si koronavirusi, edhe datat e një rikthimi të mundshëm të futbollit anembanë kontinentit të vjetër po bëhet një lojë numrash. Më së fundmi, mësohet se UEFA dhe Shoqata e Klubeve Evropiane (ECA) kanë rënë dakord që të përfundohen kampionatet kombëtare deri në fund të muajit korrik.
Një gjeë e tillë e lë kështu gushtin të lirë për të vazhduar me Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Evropës, raporton e përditshmja e njohur sportive spanjolle “AS”. Sipas saj, ECA-ja është përkushtuar që të sigurojë që të gjitha kampionatet kombëtare të mbyllen deri më 31 korrik. Më pas, brenda muajit gusht, do të përmbyllej edhe Liga e Kampioneve dhe Liga e Evropës.
Nëse kampionatet nuk do të mund të mbyllen, si në rastin e Holandës dhe Belgjikës, UEFA ka vendosur që t’ua lërë federatat vendase për të marrë vendimin përfundimit. Koeficienti i UEFA-s nuk do të përdoret për të përllogaritur se kush futet në Evropë, por secili vend do të caktojë kriteret e veta. Me rëndësi është që të jetë lista e klubeve që janë kualifikuar për kupat evropiane deri më 31 korrik.
Sa i përket kupave kombëtare, në rast se nuk përfundohen, ka gjasa që vendi të shkojë te klubi që është më së larti i renditur në renditjen e kampionatit. Këto çështje janë ato që pritet të diskutohet të enjten në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Kjo mbledhje do të zhvillohet vetëm dy ditë pas një video-konference paraprake të Sekretarëve të Përgjithshëm të të 55 federatave anëtare të UEFA-s, që u mbajt të martën.