AlbanianSport.com 02.10.2016 08:50
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj, që ka nisur të premten me derbin e kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës, të fituar nga të kuqtë me shifrat 3-1, i ka luajtur të shtunën 3 ndeshjet e tjera.
Kampionia në fuqi, Studenti, e ka kapërcyer atë eliminim të papritur në gjysmëfinale të Kupës së FSHV-së përballë fitueses eventuale, Farka Volejit, duke mundur në 3 sete Skënderbeun në kryeqytet.
Po në 3 sete, Erzeni i kthyer në kampionat pas vitesh mungesë, ka fituar në Elbasan ndaj skuadrës vendase, duke marrë kryesimin simbolik të renditjes pas javës së parë të sezonit të ri.
Fituesja e saposhpallur e Kupës së FSHV-së, Farka Volej, ka eksperimentuar në setin e parë përballë Teutës, duke e humbur atë, por duke u rikthyer fuqishëm në 3 setet e tjera dhe duke e fituar takimin me shifrat 3-1.
Për shkak të tërheqjes së Gramshit, Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Meshkuj ka mbetur me 9 skuadra dhe, për efekt kalendari, Vllaznia ishte pushim në javën e parë të tij.
Të premten, Partizani ka fituar 3-1 ndaj Tiranës, në ndeshjen që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili ka konfirmuar edhe një herë statusin e tij si shtëpia e sportit, duke shtuar edhe volejbollin në gamën e transmetimeve të drejtpërdrejta të tij.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Meshkuj
Java e parë
(30 shtator-1 tetor 2016)
Të premten:
Partizani – Tirana 3-1
Të shtunën:
Elbasani – Erzeni 0-3
Studenti – Skënderbeu 3-0
Farka Volej – Teuta 3-1
Vllaznia – pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Erzeni 1 1 0 3-0 3
- Studenti 1 1 0 3-0 3
- Farka Volej 1 1 0 3-1 3
- Partizani 1 1 0 3-1 3
- Teuta 1 0 1 1-3 0
- Tirana 1 0 1 1-3 0
- Elbasani 1 0 1 0-3 0
- Skënderbeu 1 0 1 0-3 0
- Vllaznia 0 0 0 0-0 0