AlbanianSport.com 11.10.2015 13:10
ASNN – Me 3 takimet e luajtura të shtunën, Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka mbyllur javën e tij të dytë, duke konfirmuar si dy kryesuese të hershme kampionen në fuqi, Flamurtarin, si dhe surprizën e këtyre dy javëve të para, Skënderbeun.
Vlonjatet nuk kanë lëshuar në ndeshjen e tyre në Durrës ndaj Goga Basket, duke e fituar atë bindshëm, 71-47, dhe duke ruajtur bilancin e 100% fitoreve në dy javët e para. Të njëjtin bilanc kanë edhe korçaret, që pasi kanë shtangur në fushën e tyre Tiranën në javën e parë, kanë qenë bindëse edhe në fitoren 75-52 në Elbasan ndaj vendaseve.
Kurse Tirana është rikthyer te sukseset në javën e dytë të kampionatit, teksa dje në mesditë, në Sallën Sportive “Farie Hoti” në kryeqytet, ka mundur Kamza Basketin me shifrat 62-46. Të premten, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Studenti i trajneres Mitku e ka kthyer me “këmbë në tokë” Vllazninë në takimin e parë të javës së dytë.
Shkodranet, të cilat një javë më parë kishin bërë një lojë fantastike në Bathore, duket se kanë qenë para të papriturës, pasi Studenti me më shumë motivim për të fituar këtë ndeshje e fiton krejt ndeshjen 55-50. Flamurtari dhe Skënderbeu kanë nga 4 pikë, ndërsa Goga Basket, Vllaznia, Tirana dhe Studenti, nga 3 pikë secila.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e dytë
(9-10 tetor 2015)
Të premten:
Studenti – Vllaznia 55-50
Të shtunën:
Tirana – Kamza Basket 62-46
Goga Basket – Flamurtari 47-71
Elbasani – Skënderbeu 52-75
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 2 2 0 152-94 4
- Skënderbeu 2 2 0 147-111 4
- Goga Basket 2 1 1 135-118 3
- Vllaznia 2 1 1 117-105 3
- Tirana 2 1 1 121-118 3
- Studenti 2 1 1 102-138 3
- Kamza Basket 2 0 2 96-129 2
- Elbasani 2 0 2 99-156 2