AlbanianSport.com 06/07/2020 22:35
ASNN – Me 3 takimet e luajtura të hënën, ka ulur siparin java e 32-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka bërë që edhe renditja të ndahet në disa breza, në përputhje me synimet e skuadrave. Kështu, teksa kanë mbetur edhe 12 pikë në lojë, fitorja 2-1 që arriti në kryeqytet ndaj Tiranës, ka bërë që Kukësi ta shkurtojë në 6 pikë largësinë që e ndan nga bardheblutë kryesues, ndërsa po aq i ndajnë verilindorët nga Teuta.
Kjo e fundit ka arritur një fitore minimale, por mjaft të vyer, në fushën e vet ndaj Skënderbeut, ku vendosi goli i Kallakut, por ku vëmendja kryesore ishte tek mesfushori Emiljano Vila, i cili dy ditë më parë humbi babanë, por u kthye të luante për skuadrën, duke qenë protagonist edhe në golin e shënuar. Bregdetarët tanimë janë ngjitur në vendin e 3-të, me 53 pikë, një më tepër sesa Laçi, dhe të dyja skuadrat përbëjnë atë që quhet dueti që plotëson zonën e Evropës.
Siç dihet, përveç kampiones, që shkon në Ligën e Kampioneve, vendit të dytë dhe vendit të 3-të që shkojnë automatikisht në Ligën e Evropës, edhe vendi i 4-t, që mbahet nga kurbinasit, mund të shkojnë në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit, duke qenë se 3 nga 4 skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë mbajnë 3 vendet e para të renditjes në kampionat. Ndërkaq, hendeku prej 4 pikësh, që ndaj Laçin nga dy ndjekëset më të afërta, Partizani dhe Skënderbeu, po duket gjithnjë e më i vështirë për t’u ngushtuar.
Korçarët u mundën minimalisht në Durrës, duke u dhënë mundësi të kuqve kryeqytetas të ngjiteshin mbi ta, në vendin e 5-të, edhe me atë pikë të vetme të vështirë që morën në Ballsh ndaj skuadrës vendase. Por si për Partizanin, ashtu edhe për Skënderbeun, shpresat po bëhen gjithnjë e më të vakta për të shpresuar Evropën. Atë e synon në fakt, nëpërmjet derës së prapme, Bylisi, që e ka fituar 2-1 atë ndeshje të parë të shumëpërfolur të gjysmëfinales me Tiranën.
Por, me pikën e vetme të marrë sonte në shtëpi përballë Partizanit, ballshiotët, tanimë në kuotën e 42 pikëve, ndjejnë nga afër “dihatjen” e Vllaznisë, e cila synon të shmangë vendin e 8-të e bashkë me të, edhe përfshirjen e padëshirueshme në “play-out”, në ndeshjen shtesë që duhet të zhvillojë me të mirën e vendeve të dyta të dy grupeve të Kategorisë së Parë, për të përcaktuar nëse shkodranët do të vazhdojnë të mbeten midis më të mirëve të futbollit shqiptar.