AlbanianSport.com 03/05/2021 22:10
ASNN – Vllaznia-Teuta mbyllet 0-0, Partizani mund Apoloninë dhe rrëmben kreun. Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur të hënën takimet e javës së 31-të duke sjellë përmbysje të kreut të renditjes. Ka spikatur padyshim dueli midis Vllaznisë dhe Teutës, që është mbyllur me rrjeta të paprekura. Në fakt, pjesa e parë e takimit të luajtur në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka folur për vendasit, që kanë rrezikuar seriozisht që në minutën e 5-të, me anë të Imerit, por edhe në fund të saj, kur Hoxhaj gjen shtyllën e djathtë pingule të portës mike.
Edhe pjesa e dytë ka qenë e barazpeshuar, por asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur ta gjejë dot rrugën e rrjetës, duke u detyruar të kënaqen me nga një pikë. Në takimin tjetër të së dielës, që nisi gjithashtu në ora 18:00, Partizani e ka mbizotëruar plotësisht pjesën e parë të ndeshjes së luajtur përballë Apolonisë, duke patur një numër rastesh për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. E njëjta tablo është edhe në pjesën e dytë, por Partizani do të gjejë golin e fitores 14 minuta para fundit, me anë të Hasanit.
Kjo fitore u ka mjaftuar të kuqve kryeqytetas të marrin kreun e renditjes, tanimë në kuotën e 57 pikëve, një më tepër sesa Teuta dhe 3 më tepër sesa Vllaznia. Laçi, që mundi 2-0 Kukësin në ndeshjen që u luajt më herët të hënën, me dy gola të shënuar nga Lushkja në pjesën e parë, mban vendin e 4-t, me 53 pikë, një më pak se Vllaznia dhe 4 më pak se Partizani kryesues. Dy takimet e para të javës së 31-të u luajtën të dielën dhe Tirana është ndalur në një barazim pa gola në fushë të huaj përballë Bylisit.
Një pikë e vyer kjo për ballshiotët, që tanimë kanë vetëm një pikë pra Skënderbeun. Korçarët korrën një fitore të papritur, 2-0, në Kamëz ndaj Kastriotit, duke ringjallur shpresat për mbijetesë. Kastrioti mban vendin e 7-të, me 31 pikë, i ndjekur nga Bylisi me 30 dhe Skënderbeu me 29.