AlbanianSport.com 26.02.2017 20:25
ASNN – Është luajtur sonte edhe ndeshja e fundit e javës së 23-të të Kategorisë Superiore dhe Tirana e Flamurtari kanë ndalur serinë e tyre të humbjeve, me atë barazim të bardhë që u fiksua në sfidën e luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Me pak fjalë, janë plot 180 minuta, 2 barazime dhe 0 gola, të prodhuara nga dy ndeshjet e të dielës, të vlefshme për nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Pas Kukësi-Partizani, edhe ndeshja e luajtur në kryeqytet, midis Tiranës dhe Flamurtarit ka përfunduar në barazim pa gola, duke ndarë nga një pikë secila.
Të dy ekipet vinin në këtë takim pas rezultatesh negative, ku Tirana numëronte 4 humbje radhazi, ndërsa vlonjatët dy të tilla, ndaj duket se me këtë barazim, të dy skuadrat kanë ndalur serinë e rezultateve negative. Si Flamurtari, ashtu edhe Tirana nuk janë duke kaluar momente të mira.
Dhe kjo gjë, që u shfaq edhe sot në fushën e lojës, ku u zhvillua një ndeshje e mërzitshme, me shumë pak nivel. Edhe këtë herë vazhdoi bojkoti i tifozëve të Tiranës, duke bërë që, ashtu si në fushë, edhe në shkallët e stadiumit të krijohej një atmosferë shumë e vakët, aspak e denjë për përballjet midis këtyre dy emrave.