AlbanianSport.com 25/02/2024 20:05
ASNN – Drita fiton dhe i afrohet kreut, Llapi humbet mundësinë për të marrë kryesimin. Në ndeshjet e javës së 22-të në Superligën e Kosovës, Drita nuk gaboi në shtëpi dhe fitoi me shifrat 2-0 përballë, Dukagjinit. Golat për skuadrën vendase u reliazuan në pjesën e dytë falë Ovouka dhe Obioha, përkatësisht në minutat 56 dhe 71.
Për gjilanasit ky është një trepikësh me shumë vlera pasi ngjitet në kuotën e 40 pikëve në vend të 3-të dhe i afrohet kreut që aktualisht mbahet nga Ballkani me 45 pikë. Nga ana tjetër, Dukagjini mban vendin e 6-të me 30 pikë. Ndërkohë, Llapi humbi shansin për të marrë kreun e kampionatit teksa barazoi pa gola, 0-0 në shtëpi ndaj Prishtinës.
Pas këtij barazimi, Llapi mbetet në vendin e dytë me 44 pikë, një më pak se Ballkani ndërsa Prishtina është në vendin e pestë me 31 pikë. Sakaq, në barazim 0-0 u mbyll edhe ndeshja tjetër mes Lirisë dhe Fushë-Kosovës. Të shtunën, Ballkani i Ilir Dajës nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi përballë Gjilanit.
Skuadra kampione në fuqi e Kosovës e nisi ndeshjen në mënyrën e duhur teksa kaloi e para në avantazh falë golit të Edvin Kuçit, në minutën e 18-të. Megjithatë, vendasit nuk ia dolën ta mbyllnin pjesën e parë në kryesim pasi shifrat u barazuan në minutën e 45-të, pas një 11-metërshi të ekzekutuar saktësisht nga ish-lojtari i Vllaznisë, Elvedin Heriç.
Në pjesën e dytë, Ballkani provoi, por pa sukses duke u mjaftuar me vetëm një pikë. Pas këtij barazimi, Ballkani mban vendin e parë me 45 pikë, ndërsa Gjilani mbetet në vendin e tetë me 22 pikë. Në ndeshjen tjetër të javës së 22-të, të luajtur të shtunën, Malisheva mposhti në shtëpi me rezultatin 2-1 Feronikelin.