AlbanianSport.com 14/03/2021 17:55
ASNN – Takimi që mbylli javën e 15-t të Kategorisë së Parë erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Pogradeci ka mundur Lushnjën 3-2 të dielën pasdreke, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar dhe që ishte i vlefshëm për Grupin B, apo grupin e Jugut. Një sfidë emocionuese, që është zhbllokuar në fundin e pjesës së parë, pavarësisht rasteve të krijuara deri në atë moment.
Pikërisht në minutën e 44-t është Abazaj që ka kaluar në epërsi liqenorët. Pjesa e dytë bëhet akoma më e bukur, ndërsa shënohen katër gola. Në fillim është Shkulaku, i cili, në të 66-ën minuta, ka dyfishuar për vendasit. Por lushnjarët kanë reaguar me anë të Mones, që realizon në 5 minuta më pas, duke ngushtuar shifrat në 2-1. Topllari në minutën e 74-t shënoi të tretin për Pogradecin, që, në fakt, shërbeu dhe si një siguri për fitoren.
Kjo sepse Mone firmosi dygolëshin e tij në minutën e 83-të, duke e bërë mjaft interesante këtë sfidë. Sidoqoftë, , Pogradeci në fund shijon fitoren 3-2, që e ngjit në kuotën e 22 pikëve në Grupin B, në vendin e 3-të të renditjes. Ndërkohë, Lushnja mbetet në vendin e 5-të me 16 pikë dhe rrezikon të përfshihet në grupin e ekipeve që luftojnë për mbijetesë në fazën e 3-të. Kjo ndeshje mbylli edhe javën e 15-të të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.