AlbanianSport.com 28/02/2021 15:40
ASNN – Takimi Partizani B – Burreli 1-3 erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Burreli ka mposhtur të dielën Partizanin B me shifrat 3-1, fitore që e mban në krye të renditjes së grupit të Veriut, me 25 pikë, dy më tepër sesa Dinamo e vendit të dytë, që ka luajtur një ndeshje më pak. Takimi erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport. Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka mbyllur javën e saj të 12-të, me takimin e fundit të saj, atë midis Partizanit B dhe Burrelit, që është fituar nga miqtë me rezultatin 3-1.
Në fakt, takimi i zhvilluar në kryeqytet dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, ka parë miqtë të kalojnë në epërsi pas 13 minutash lojë, falë një 11-metërshi të saktë të kthyer në gol nga Raboshta. Pjesa e parë nuk do të sjellë gola të tjerë, por të kuqtë kryeqytetas do të mbeten me 10 lojtarë në minutën e 33-të, pas daljes me karton të kuq të Osmanllarit, që merr dy kartonë të verdhë brenda 2 minutash.
Pjesa e dytë do të shohë Danajn të dyfishojë epërsinë e miqve pas një gjysmë ore loje. Ndonëse Partizani do të shkurtojë largësinë e golave menjëherë më pas, por falë një autogoli të matjanëve, Raboshta do të golasë sërish 20 minuta para fundit, duke firmosur dygolëshin e tij në këtë takim dhe duke vulosur fitoren e Burrelit me shrat 3-1, fitore që e mban në krye të renditjes së grupit A, apo grupit të Veriut, me 25 pikë, dy më tepër sesa Dinamo e vendit të dytë, që ka luajtur një ndeshje më pak.