AlbanianSport.com 03/03/2021 21:55
ASNN – Dy skuadrat durrsake fitojnë në kryeqytet, mposhtin përkatësisht Tiranën dhe Partizanin. Kampionati Kombëtar i Basketbollit ka luajture të mërkurën ndeshjet e javës së tij të dytë dhe, në Kategorinë e Parë të femrave, Partizani ka triumfuar bindshëm në derbin e kryeqytetit ndaj SHKBF Tiranës, me shifrat 118-39, Elbasani ka mundur Apoloninë 74-52, ashtu sikundër edhe Flamurtari nuk ka gabuar në shtëpi përballë Vllaznisë, duke fituar me rezultatin 77-52.
Në takimin e fundit, SK Tirana ka mundur Studentin 74-45 dhe tanimë ndan kreun me Flamurtarin dhe Elbasanin, me nga 4 pikë pas dy javëve të para. Ndërkaq, në Kategorinë e Parë të meshkujve, Dinamo ka fituar bindshëm, 271-51, ndaj Apolonisë dhe Elbasani ka mundur 101-89 Flamurtarin. Kamza ka fituar në Korçë ndaj Skënderbeut 64-79 dhe ndan kreun me Dinamon dhe Elbasanin, me nga 4 pikë.
Ndërkaq, vëmendja kryesore ka qenë padyshim në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të basketbollit për meshkuj, aty ku Vllaznia ka lënë pas humbjen në javën e parë me Teutën, duke mundur Barleti Eagles 107-61. Teuta ka korrur fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur në kryeqytet Partizanin 83-72, ashtu sikundër ka bërë në kryeqytet edhe rivalja durrsake, Goga Basket, që ka mposhtur Tiranën 97-82.
Në fakt, skuadra e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi e ka udhëhequr vazhdimisht takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Plus, duke e mbyllur 10-minutëshin e parë 23-17 dhe atë të dytin 29-20 dhe duke shkuar në pushimin e madh midis dy gjysmave të lojës në kryesim komod, 52-37.
Bardheblutë e trajnerit Erkand Karaj do të reagojnë në 10-minutëshin e 3-të, të cilin skuadra mike e fiton sidoqoftë 23-20 dhe, ndonëse Tirana fiton 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit 25-23, Goga Basket e fiton gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 97-82 dhe ndan kryesimin e renditjes me Teutën pas dy javëve të para, me 4 pikë, e ndjekur nga Tirana dhe Vllaznia me 3.