AlbanianSport.com 14.05.2016 20:25
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria Superiore, mund ta ketë shtyrë të premten edhe për 4 ditë të tjera shpalljen e kampiones së tij, por në ndeshjet e së shtunës ka dhënë një tjetër verdikt po aq të rëndësishëm.
Bylisi është ndalur në një barazim pa gola në fushën e vet nga Flamurtari, duke u bërë edhe praktikisht skuadra e dytë, krahas Tërbunit, që bie nga kategoria dhe që sezonin e ardhshëm do të kthehet të luajë në nivelin e dytë të kampionatit, që njihet ndryshe si Kategoria e Parë.
Ndonëse ka qenë më kërkues në takimin që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, skuadra ballshiote nuk ka arritur ta thyejë ekipin vlonjat, që siguron kështu mbijetesën një javë para përfundimit të sezonit. Në takimet e tjera të javës së 35-të të Kategorisë Superiore, Tirana ka mundur Vllazninë 1-0 në kryeqytet.
Kukësi ka fituar 2-1 në Pukë ndaj Tërbunit vendas, ndërsa Teuta ka fituar 3-0 në fushën e vet ndaj Laçit. Të premten, përkundër të gjitha gjasave, Partizani ka mbajtur gjallë shpresat, deri më dje, mjaft të vakëta për titull, pasi ka fituar me një gol të vetëm në Korçë ndaj Skënderbeut vendas, duke bërë që gjithçka të vendoset në javën e fundit të këtij sezoni.