AlbanianSport.com 20/10/2021 22:55
ASNN – Emision i posaçëm dhe ndeshja më e spikatur, Man. Junajtid-Atalanta, direkt në RTSH 1. Veprimtaria më prestigjioze e futbollit evropian, Liga e Kampioneve, ka vijuar në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me takimet e 3-ta të fazës së grupeve. Dhe transmetuesi publik ka sjellë në kanalin RTSH 1, emisionin kushtuar posaçërisht kësaj mbrëmjeje, por edhe përballjen më të spikatur të së mërkurës, atë të grupit F, atë midis Mançester Junajtid dhe Atalantës. Ndërkaq, në takimin tjetër të grupit F, edhe Vijareali e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi të dyfishtë në Zvicër përballë Jang Bojs të Bernës, pas dy golave të shënuar brenda 16 minutave të para.
Çerekora e fundit e kohës së rregullt do të sjellë edhe golin e 3-të të spanjollëve, por edhe një gol ngushëllimi për helvetët, për t’u përmbyllur me golin e 4-t në shtesë për Vijarealin, që fiton 4-1. Ndërkaq, në takimin e vlefshëm për grupin E, të luajtur më herët, Barcelona ka shmangur të paimagjinueshmen, duke lënë prapa dy humbjet në takimet e para dhe duke mposhtur me një gol të vetëm të Pikesë Dinamon e Kievit në takimin e luajtur në “Kamp Nou”. Në takimin tjetër të këtij grupi, të luajtur në Portugali, Boavista dhe Bajerni i Mynihut e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë.
Por në pjesën e dytë, janë bavarezët që gjejnë golin e parë në minutën e 70-të, me anë të Lëroi Sanesë, dhe atë të dytë, 10 minuta para fundit, falë një autogoli të portugezëve, atë të 3-të, me të përhershmin Robert Levandovskit, por edhe një të 4-t, sërish me Sanenë. Një takim i luajtur më herë ishte edhe ai i grupit G, ku Salzburgu ka mposhtur në shtëpi Volfsburgun me rezultatin 3-1. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje u mbyll në barazim 1-1, me vendasit që kaluan në epërsi dhe me miqtë që barazuan. Por dy gola të Okaforit në pjesën e dytë u ka dhënë fitoren dhe 3 pikët austriakëve.
Në takimin tjetër të grupit, Lila dhe Sevilja e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë, ashtu sikundër ndodhe edhe të dytën dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë. Dhe, së fundi, në grupin H, Zeniti i Shën Pjetërburgut dhe Juventusi e kanë mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë në Rusi, por italianët do të gjejnë golin e fitores minimale, por mjaft të vyer, vetëm në minutat e fundit të kohës së rregullt. Kurse Çellsi e ka e mbyllur pjesën e parë në shtëpi në epërsi të dyfishtë ndaj Malmoes, me dy gola të realizuar në 21 minutat e para. Me fillimin e pjesë së dytë, londinezët kanë gjetur edhe golin e 3-të, por edhe të 4-tin, brenda çerekorës së parë.