AlbanianSport.com 07.02.2016 15:20
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka luajtur dje dy takimet e para, vijon sot me 3 takimet e tjera të javës së saj të 20-të, që është edhe e para pas mbylljes së merkato së dimrit.
Të shtunën, Partizani ka vuajtur deri në fund, për të marrë një barazim 1-1 në kryeqytet përballë Flamurtarit, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ylli Hoxha i kaloi vlonjatët në epërsi në minutat e fundit të pjesës së parë dhe, ndonëse e luajti shumicën e pjesës së dytë me 10 lojtarë, Flamurtari mori një pikë të vlefshme në kryeqytet përballë të kuqve.
Më herët, Bylisi mundi në fushën e vet Tërbunin, me rezultatin e thellë 4-0. Ndërsa sot po zhvillohen 3 takimet e tjera dhe, në takimet që u luajtën pasdreke, Skënderbeu është përballur në Korçë me Kukësin, duke fituar me rezultatin 3-1.
Ndërsa Tirana ka qenë mysafire në Laç, ku ka fituar me rezultatin 3-0 me skuadrën vendase. Takimi i fundit i kësaj jave është ai që do të nisë të luhet nga ora 16:00, midis Teutës dhe Vllaznisë.