AlbanianSport.com 24/02/2022 20:55
ASNN – Berat Gjimshit kualifikohet, por Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha eliminohen. Ka rezultuar një mbrëmje me kontraste e enjtja për 3 futbollistët e kombëtares kuqezi, që zbritën në fushën e blertë për sfidat e kthimit të “play-off”-eve të Ligës së Evropës. Kështu, Berat Gjishmiti është kualifikuar për më tej me Atalantën e tij, që e ka fituar edhe ndeshjen e kthimit në Greqi përballë Olimpiakosit.
Në fakt, skuadra italiane shkoi në këtë takim pas fitores me përmbysje, 2-1, që pati siguruar në ndeshjen e parë në shtëpi, pikërisht falë dy golave të njëpasnjëshëm në pjesën e dytë nga mbrojtësi kuqezi. Dhe skuadra e Gjimshitit, i cili ishte titullar dhe u aktivizua përgjatë gjithë ndeshjes, ka vijuar të triumfojë me 3 gola, njërin në fundin e pjesës së parë me autor Maehlen.
Por edhe dy brenda 3 minutash në të dytën, në të 66-tën dhe në të 69-tën, me autor ukrainasit Ruslan Malinovski, i cili shpalosi poshtë bluzës edhe parrullën politike “Jo luftës në Ukrainë”. Ndërkaq, nuk ka qenë kaq me fat dyshja kuqezi, Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj, të cilët janë eliminuar së bashku me Lacion e tyre nga veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit.
Skuadra e tyre e kishte humbur 1-2 ndeshjen e parë në fushë të huaj përballë Portos, dhe nuk ka shkuar dot më larg se një barazim 2-2 në fushën e vet të enjten. Pjesa e parë e ndeshjes së kthimit, ku Strakosha ka qenë titullar, është mbyllur në barazim 1-1, ndërsa në të dytën, kur Hysaj ka hyrë në fushë në minutën e 54-t, duke zëvendësuar Lukas Leivan, portugezët kanë shënuar një tjetër gol dhe vetëm në fund Lacio ka arritur të barazojë shifrat, duke shmangur humbjen, por jo eliminimin.