Nga Gjergj Vyshka 28.10.2016 15:15
Ministria e Arsimit dhe Sportit është kujtuar se duhet të mblidhet dhe Komisioni kundër Dhunës në Sport, i cili, ashtu sikurse të gjitha komisionet e tjera, nuk ka më shumë se sa tre mbledhje në katër vjet mandat. Edhe sikur të ketë probleme madhore në sport, gjë që ka ndodhur më së shumti në futboll e tek-tuk dhe në lojërat me dorë, Komisioni kundër Dhunës nuk i kalon kufinjtë e mbledhjeve të tij.
Për herë të fundit është mbledhur në momentet që në ndeshjen Vllaznia-Tirana në shtator 2014 ndodhi sherri mes tifozëve në Stadiumin e vjetër “Loro Boriçi” e që andej asnjë mbledhje tjetër. Por dhe në prag të ndeshjeve të Kombëtares, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Francë 2016”. E dje është mbledhur, sepse nuk kanë mbetur më shumë se sa 6 muaj nga mandati i kësaj qeverie e së shpejti vjen koha për zgjedhjet e reja.
Një mbledhje konsultative, aspak vendimmarrëse, sepse nuk ka pasur gjëra të rënda në sportin shqiptar në këto muajt e fundit. Thjesht për t’u mbledhur se duhej bërë numri 3 i këtyre takimeve. Në fakt nuk është se kanë funksionuar dhe komisionet e tjera. Këshilli Kombëtar i Sportit ka mbetur tek ajo mbledhje informale e tetorit 2015 e asgjë më shumë. Po kështu Komisioni i Antidopingut nuk dihet se kur nuk është mbledhur e jo kur është mbledhur.
Pra në një farë mënyre komisioni kundër Dhunës u mblodh se duhej mbledhur, ndoshta është duke paralajmëruar dhe ndonjë vepër të rëndë në sport, sepse ndryshe nuk kishte se si të mblidhej. .E pyetja që shtrohet është nëse do të ketë ngjarje më të rënda, a do të mblidhet më ky Komision që tashmë e ka plotësuar numri tre të mbledhjeve në katër vjet mandat? Apo thjesht ishte mbledhje që duhej bërë…