Gjergj Vyshka 27.03.2017 10:25
Shiu përsëri problem për motoçiklistët. Shtyhet nisja me gati 15 minuta, ndërsa shkurtohen xhirot nga 22 në 20 për ta mbyllur paq. Maverik Vinjales, jo vetëm që ka fituar në garën hapëse të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, i cili është ekskluzivitet i Radio-Televizionit Shqiptar, por e ka bërë të tijin Katarin. “Jamaha” ka qenë përpara Doviciozos dhe Rosit.
Gara e Losailit është vonuar për shkak të shiut të rrëmbyeshëm në nisje dhe për rrjedhojë janë shkurtuar dhe xhirot nga 22 në 20. Fituesi i provave të cunguara zyrtare, Vinjales gabon që në nisje dhe, në krye të garës është debutuesi Zarko, i cili, në fakt përfundon në zhavorr pas disa xhirosh.
Dhe në krye ka kaluar Doviciozo që është ndjekur nga Markez. Janone provon ta parakalojë kampionin në fuqi të botës, por rrëshqet dhe e mbyll garën e tij. Vinjales e Rosi, ky i fundit ka rikuperuar nga vendi i 10-të, në të cilin ishte në përfundim të provave zyrtare, e arrijnë.
Luftë e fortë mes Vinalesit dhe Doviciozos, Rosi është gjithnjë në pritje. Por dy xhiro nga fundi fituesi i garës është spanjolli, që kështu i ka befasuar të gjithë në këtë garë hapëse të sezonit për vitin 2017.
Kampionati Botëror i Motoçiklizmit
Moto GP 2017
Çmimi i Madh i Katarit
Rezultatet teknike të garës:
Nr. Piloti (Vendi) Skuadra Koha
1) Maverik Vinjales (Spanjë) Jamaha 38’59”999
2) Andrea Doviciozo (Itali) Dukati + 0”461
3) Valentino Rosi (Itali) Jamaha + 1”928
4) Mark Markez (Spanjë) Honda + 6”745
5) Daniel Pedroza (Spanjë) Honda + 7”128
6) Aleiks Espargaro (Spanjë) Aprilia + 7”661
7) Skot Reding (Britani e Madhe) Dukati + 9”782
8) Xhek Miller (Australi) Honda + 14”486
9) Aleks Rins (Spanjë) Suzuki + 14”788
Renditja e përgjithshme e
Botërorit të Motoçiklizmit
Nr. Piloti (Vendi) Skuadra Pikë
1) Maverik Vinjales (Spanjë) Jamaha 25
2) Andrea Doviciozo (Itali) Dukati 20
3) Valentino Rosi (Itali) Jamaha 16
4) Mark Markez (Spanjë) Honda 13
5) Daniel Pedroza (Spanjë) Honda 11
6) Aleiks Espargaro (Spanjë) Aprilia 10