AlbanianSport.com 12.06.2015 07:55
ASNN – Gjyqtari i njohur shqiptar, Kridens Meta, është dhunuar barbarisht nga dy të rinj teksa po stërvitej në kompleksin sportiv “Dinamo” në orët e vona të së enjtes. Ngjarja ka ndodhur afërsisht rreth orës 19:00, me dy persona të maskuar, të cilët kanë hapur kangjellat rrethuese të kompleksit, duke hyrë në fushë e duke goditur me levë gjyqtarin.
Arsyet e këtij sulmi fizik ndaj Metës nuk janë bërë ende të ditura, ndërkohë që vetë Meta është shoqëruar drejt Spitalit të Traumës nga persona të rastit. Pasi është mjekuar, Meta i është drejtuar Komisariatit Numër 2 në kryeqytet ku ka kryer dhe denoncimin.
Ende nuk dihet nëse personat që kanë ushtruar dhunë ndaj tij e kanë kryer këtë sulm fizik për arsye sportive apo për motive të tjera, gjithsesi forcat e rendit kanë nisur punën për identifikimin e autorëve. Sapo është njohur me ngjarjen, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, ka shkuar ne spital dhe me pas ne komisariat, bashkë me gjyqtarin, për të bërë kallëzim penal.
Federata Shqiptare e Futbollit u ka bërë thirrje organeve kompetente që të marrin masa sa më parë për identifikimin e autoreve, kapjen e tyre dhe vënien para drejtësisë.