Adriatik Balla 30.09.2015 11:35
Federata Shqiptare e Futbollit shkaktoi një skandal të madh me shpërndarjen e biletave të ndeshjes së Kombëtares tonë kuqezi me përfaqësuesen e Serbisë, takim që do të luhet në “Elbasan Arena” më 8 tetor 2015. Biletat nuk dolën fare në pikat e shitjes dhe ky ishte skandal i madh, i cili do të pasohej me shitjen “on-line” dhe ku shumica e tifozëve të vërtetë të Kombëtares mbetën duarbosh. Shitja “on-line” nuk u vërtetua kurrë këtë herë se ishte e ndershme dhe efikase, sepse ishte e pamundur në rrjet të depërtoje për të marrë një biletë duke dhënë informacion mbi të dhënat personale.
Personalizimi i biletës ishte, në fakt, një lëvizje e zgjuar e federatës, por shpejt u kuptua se kjo lëvizje ishte një mashtrim i madh, pasi shumica e biletave u dhanë “me mik”, ose nën dorë nga sekserët e përfunduan në duart e të interesuarve me një çmim shumë herë më të lartë, konfirmuar në media ditët e fundit me një rast që ka shkuar në afro 1 mijë euro. Bileta nën dorë janë parë edhe ditët e fundit të dalin nga mjediset e FSHF-së dhe kjo realizohet si proces “i ligjshëm”, sepse institucioni ka detyrimin të pajisë me biletë “porositësit” që kishin bërë më parë kërkesë.
Kjo është një formulë tejet bajate e FSHF-së, e njohur për poshtërsinë dhe paligjshmërinë dhe në rrethin mediatik dhe jo rastësisht shtypi sportiv ka qenë i ashpër ndaj FSHF-së këto ditë. E ndërsa sekserët e federatës vijojnë të shumëfishojnë biletën në treg të zi, tifozët e vërtetë të skuadrës përfaqësuese kanë mbetur pa gjë, duke qenë të irrituar dhe me të drejtë të pakënaqur, sepse nuk do të kenë mundësinë të mbështesin nga shkallët e impiantit ekipin e tyre të zemrës.
Pritej një reagim më i fortë prej tyre, por shumica nuk duan që kjo të sjellë shqetësime që nuk i vijnë në ndihmë ekipit kombëtar, ku fitorja është objektivi i të gjithëve. Natyrisht, jo të gjithë tifozët e Kombëtares shqiptare mund të pajiseshin me biletë për këtë takim, por një shpërndarje më e drejtë e tyre karshi grupeve të tifozëve të përfaqësueses mund të bëhej, gjithnjë nëse FSHF do ta kishte pasur këtë objektiv më vete. Por federata ka nxituar të plotësojë më së pari kërkesat e politikanëve dhe biznesmenëve të mëdhenj, më pas grupet e interesit të lidhur me federatën, kurse tifozët kanë dalë në plan të fundit, duke mos përfituar asgjë.
Grupimet e mëdha që patën mundësinë të merrnin afro 1,500 bileta bënë “shurdhin” dhe “qorrin” në këto zhvillime, duke u kënaqur me pak, ndërsa takimet e zyrtarëve të Federatës me ata të policisë, nxorën zbuluar edhe mashtrimin e madh të FSHF-së me biletat. Më parë FSHF ishte justifikuar se biletat do të kontrolloheshin nga SHISH dhe do të kishte bashkëpunim të gjerë me policinë, por kjo ndodhi pasi ishin shitur biletat. E gjitha kjo mund të jetë një kosto e madhe për qeverinë e futbollit shqiptar, ku në rast dështimi ndaj Serbisë, mund të vihet nën shënjestrën e gjerë të kritikëve dhe veçanërisht tifozëve.