AlbanianSport.com 03.10.2015 09:50
ASNN – Grupi më i madh i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuqezi”, nëpërmjet një deklarate kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj Qeverisë shqiptare dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, për masat e marra në ndeshjen Shqipëri-Serbi, që do luhet në “Elbasan Arena” më 8 tetor.
Sipas tyre, kushtet e vëna nga organizatorët e ndeshjes janë të papranueshme, madje edhe provokative. Ata kanë dalë kundër ftesës, që kryeministri Edi Rama i ka bërë homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç, për të qenë i pranishëm më 8 tetor 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Në deklaratën e tyre thuhet se, nuk mund të jetë në stadium një njeri, i cili në Beograd qëndroi indiferent kur dëgjoheshin thirrjet raciste “vritni shqiptarët”. “Tifozat Kuqezi” kanë shprehur pakënaqësi, madje e kanë quajtur absurditet deri në servilizëm të FSHF-së ndaj serbëve, edhe për moslejimin e fanellave me simbole kombëtare.