Gjergj Vyshka 10.10.2016 16:20
Tashmë pritet certifikimi i kësaj Maratone tek ndërkombëtarët, sepse të gjitha standardet e saj janë sipas kërkesave të tyre. Që do të thotë se bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të veçantë Departamentit të Sportit me në krye Edera Alibegajn, me Federatën Shqiptare të Atletikës ka qenë në mënyrë të përkryer. Policia e Shtetit dhe ajo e Bashkisë kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e veprimtarisë, numri i vullnetarëve ka qenë aq sa kërkohet për një Maratonë Ndërkombëtare.
Çadrat për ndihmën e shpejtë në rast nevoje, apo dhe për gjëra të tjera, apo dhe tualetet kanë qenë në numrin maksimal. E si të tilla të gjitha këto pika janë plotësuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dhe Sekretari i Përgjithshëm Nikolin Dionisi, të cilat më pas do të paraqiten në Konventën Ndërkombëtare të Evropës, e cila do të mbahet në Lozanë, nga data 13, deri më 16 tetor 2016.
Pa harruar këtu rolin e gjyqtarëve, apo dhe të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, e cila ka vënë në funksion Mjekësinë Sportive për t’i ardhur në ndihmë atyre që kishin nevojë. E ajo që ka spikatur si një organizator i mirrëfilltë ishte dhe Mustafa Tukseferi, që vazhdon të ndihmojë në çdo veprimtari sportive. Kësisoj Maratona e Tiranës shpalli fituesit e saj e tashmë pret certifikimin nga ndërkombëtarët, pavarësisht se ka pasur pakënaqësi nga qytetarët për kaosin e shkaktuar për shkak të trafikut.