AlbanianSport.com 08/03/2021 11:55
ASNN – Observatori i futbollit, “CIES” ka publikuar ditën e mërkurë një raport javor me listën e futbollistëve të rinj më premtues, të cilët janë pjesë e kampionateve të ndryshme në botë dhe që i përkasin vitlindjes 2000. Kjo listë është bazuar në minutat e luajtura që futbollistët kanë luajtur në kampionat me klubet e tyre dhe në nivelin e ekipeve ku janë regjistruar lojtarët, që prej datës 1 janar 2020. Në këtë listë përfshihet edhe mbrojtësi i talentuar i Kombëtares shqiptare të futbollit, Marash Kumbulla.
Talenti kuqezi i cili u transferua tek ekipi i Romës në shtator ka bërë mjaft mirë me ekipin kryeqytetas, duke marrë edhe këtë vlerësim nga Observatori i Futbollit. Në këtë listë, Marash Kumbulla renditet përkrah emrave të shquar, pavarsisht moshës së tyre të re, në futbollin kontinental. Emra të tillë si Sanço e Ha’aland, futbollistë të Borusias së Dortmundit, Vinicius Zhunior i Realit të Madrid, Tonali i Milanit. etj, të cilët po bëjnë shumë mirë me ekipet e tyre.
Vlerësimi që i bëhet lojtarit kuqezi është një lajm i mirë jo vetëm për vetë futbollistin, por edhe për Kombëtaren shqiptare. Observatori i futbollit “CIES” është një grup kërkimor brenda Qendrës Ndërkombëtare për Studime Sportive, një qendër studimi e pavarur, me seli në Zvicër. Observatori i Futbollit “CIES” është i specializuar në analizën statistikore të futbollit dhe është krijuar në 2005 nga Dr. Rafaele Poli dhe Dr. Luak Ravenel.