AlbanianSport.com 22/11/2018 19:35
ASNN – Diego Armando Maradona është e shkruar të jetë personazh mjaft i dashur në media, sepse nxjerr “perla” nga goja, sidomos kur në fokus janë zhvillimet në përfaqësuesen argjentinase apo rreth trajnerit Skaloni dhe sulmuesit Lionel Mesi. “Skaloni nuk bën as për të drejtuar trafikun”, – ishte shprehur Maradona pak ditë më parë, dukshëm i pakënaqur nga zgjedhja e ish-futbollistit të Lacios.
Maradona është i prekur në sedër pse Federate Argjentinase nuk zgjodhi në krye të “Selecion” Tata Martinon, i cili është pothuajse zyrtarizuar në krye të Meksikës e Argjentinës i del për detyrë të konfirmojë trajnerin e komanduar, pra Skalonin. “Martino është një mik, një njeri i lartë, – u shpreh Maradona për gazetarët, – flasim për Tatan, por ne kemi atë djaloshin aty, Skaloni.”
“Unë e di, ai nuk ka faj për faktin që ndodhet aty, e kanë shtyrë, – ka vijuar ai. – Problemi është që beson se është një trajner i madh dhe thotë “unë dua të shkoj në Botëror”. Natyrisht në Botëror mund të shkojë, por në atë të … motoçiklizmit! Më tërbon fakti që duhet të varem nga një trajner, i cili nuk ka eksperiencë, ndërkohë që na shpëton nga duart Tata.”
Më pas vjen kritika gjithëpërfshirëse e tij që nis me zyrtarët e federatës e përfundon tek ekipi që ka në krye të tij një djalosh pa përvojë si Skaloni. Për Maradonën, në Argjentinë ka trajnerë shumë të aftë që ishin në gjendje të merrnin drejtimin e skuadrës por federate sipas tij është e “verbuar”. “Në Argjentinë i bëjmë gjërat aq keq, sa që nuk arrijmë dot të ndryshojmë situatë”, – ka thënë Maradona.
“Kemi Flako Menotin, Tata Martinon, Flako Garecën, Alfaron, Gajardon… por në përfundim vendosim në stolin e përfaqësueses… Skalonin! Nuk ka asgjë për të bërë, ne argjentinasit jetojmë në një botë të kundërt. A do të kthehesha unë? Jo kurrë, sepse këtu ka shumë tradhëtarë”, – përfundoi legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona.