AlbanianSport.com 14/11/2018 20:45
ASNN – Legjenda e futbollit argjentinas e atij botëror, Diego Armando Maradona, e ndezi dhe një herë tjetër debatin në media e rrjetet sociale për trajnerin më të mirë në botë. Pas kritikave që i ka bërë Lionel Mesit se nuk jep më të mirën për përfaqësuesen e Argjentinës dhe nuk ka personalitetin e liderit, këtë herë Maradona ka deklauar se Pep Guardiola nuk është ai që ka shpikur “tiki-taka”-n dhe se këtë model loje e kishte shpikur Johan Krujf.
Midis Zhose Murinjos dhe Pep Guardiolës, Maradona ka zgjedhur portugezin, duke thënë se është origjinal, mjeshtër i taktikës dhe njeri që ka bërë mrekulli si trajner. “Mes të dyve, – thotë Maradona, – më i mirë është me siguri Murinjo. Unë si trajner kam ende shumë për të mësuar. Ndaj për këtë arsye mendoj se do të shkoj në Mançester për një javë të shoh stërvitjet e Murinjos, për ta pyetur për shumë gjëra, padyshim ai është më i miri.”
“Murinjo apo Guardiola? Për mua Murinjo, padyshim. ‘Tiki-taka’ nuk u shpik nga Guardiola. Kjo skemë ishte e Johan Krujfit. Vetëm se tani, Pepi mund të zgjedhë lojtarin që do nga e gjithë bota. Kështu është gjithçka më e thjeshtë për të”, – përfundoi legjenda e futbollit argjentinas dhe atij botëror, Diego Armando Maradona, që nuk e ka zakon të kafshojë gjuhën para se të flasë dhe këtë herë ka gjasa të shkaktojë një debat të thellë e të zgjatur rreth trajnerit më të mirë.