AlbanianSport.com 16/09/2019 19:20
ASNN – Maradona e ka përjetuar keq humbjen, në debutimin në Superligën Argjentinase. Skuadra e tij, Himnasia La Plata, është mundur 2-1 nga Rasingu dhe vazhdon të qëndrojë në fund të renditjes. Por Maradona e ka vuajtur shumë këtë humbje për faktin se, sipas tij, lojtarët e tij kanë luajtur shumë mirë dhe nuk e meritonin atë rezultat.
Diego Armando Maradona e ka nisur me humbje aventurën në drejtim të Gimnasia La Plata. Skuadra e tij është mundur 2-1 nga Racing, në ndeshjen e javës së 6-të të Superligës Argjentinase. Ai është shprehur i pakënaqur me rezultatin për vetë faktin se skuadra e tij ka luajtur mjaft mirë, madje e ka vuajtur këtë. “Jam thellësisht i pakënaqur me rezultatin”, – ka thënë legjenda e futbollit botëror.
“Po vuaj sepse kampionia argjentinase nuk ka luajtur aspak më mirë se ne, – ka vijuar Maradona. – Lojtarët e Rasingut kurrë nuk na vunë përpara, ne kemi qenë gjithnjë para tyre. Kjo gjë më vret më shumë shpirtërisht.” Por ish-ylli i futbollit argjentinas, tanimë trajner, nuk dorëzohet. Ai kërkon nga skuadra e tij që të vazhdojë punën fort, për ndeshjet e tjera.
“Po, ata fituan e ne nuk duhet të qajmë tani, por të vazhdojmë të punojmë, të stërvitemi më fort për ndeshjet e ardhshme”, – ka përfunduar trajneri Himnasia La Platas. Edhe pas kësaj ndeshje, skuadra e trajnerit Maradona vazhdon të qëndrojë në fund të renditjes së Superligës Argjentinase.