AlbanianSport.com 26.01.2015 17:55
ASNN – Roberto Mançini ka komentuar shkurtimisht paraqitjen e Xherdan Shaqirit në ndeshjen kundër Torinos, edhe për arsye se kishte shumëçka për të shpjeguar pas një tjetër fiaskoje, për më tepër në shtëpi, përballë “Demave” të Veriut.
Trajneri i Interit, Roberto Mançini, është shprehur tejet i zhgënjyer me humbjen e pësuar nga Torino, e cila shënoi golin e vetëm të fitores në sekondat shtesë. Trajneri i Interit foli edhe për paraqitjen e Xherdan Shaqirit, duke thënë se ai ende nuk e ka arritur nivelin e duhur fizik për të luajtur 90 minuta.
“Ai ka luajtur vetëm 30 minuta, sepse ende duhet të fitoj formën e duhur fizike për lojë, – u shpreh Mançini për mediat italiane. – Kjo humbje për ne ishte absurde, por futbolli di nganjëherë të jetë qesharak dhe i keq.”
Ndërkaq, një faqe e lajmeve të Interit e ka mohuar lajmin për dëmtimin e Xherdan Shaqirit. Edhe pse në mëngjesin e sotëm u raportua nga mediat italiane për një problem fizik të kosovarit të zikaltërve, një gjë e tillë ende nuk është e sigurt.
Kjo pasi, faqja e Internetit, “fcinternews.it”, e cila merret me publikimin e lajmeve rreth klubit zikaltër, shkruan se ky ishte vetëm një alarm fals. Sipas kësaj faqeje, Xherdani nuk ka pësuar tërheqje muskulore dhe do të jetë i gatshëm për Interin që në ndeshjen e radhës.