AlbanianSport.com 16.01.2015 15:35
ASNN – Trajneri i Interit, Roberto Mançini, ka bërë të ditur se Xherdan Shaqiri nuk është ende i gatshëm që të luajë 90 minuta të plota. Gjatë konferencës për shtyp, të dhënë në prag të ndeshjes ndaj Empolit, kreu i pankinës zikaltër ka premtuar se, sidoqoftë, gjilanasi do të debutojë në këtë takim me fanellën e klubit të tij të ri.
“Ai u stërvit mirë gjatë javës, por nuk mund të luajë një ndeshje të tërë”, – u përgjigj Mancini kur u pyet se sa minuta mund të luajë Shaqiri. Por trajneri ka paralajmëruar se Xherdan Shaqiri do të debutojë për Interin në ndeshjen ndaj Empolit, të vlefshme për javën e 19-t të Serisë A. Kështu, duket se tashmë koha e Xherdan Shaqirit ka ardhur.
Ylli kosovar pritet të debutoj në fanellën e skuadrës së re, Interit, në ndeshjen ndaj Empolit, e cila zhvillohet të shtunën nga ora 18:00. Javën e kaluar, Shaqiri u transferua nga Bajerni i Munihut tek Interi, me të cilin ekip nënshkroi kontratë deri në vitin 2019. Ai ishte në stolin e rezervave ndaj Xhenoas, por nuk luajti asnjë minutë.