AlbanianSport.com 04.07.2015 11:35
ASNN – Një kontratë pesëvjeçare me rrogë të lartë, që së bashku me çmimin e blerjes do të arrinte shifrën e 170 milionë eurosh. Kjo është oferta e majme që gjigandja i Premier Ligës Angleze, Mançester Junajtid, ka bërë për futbollistin e Bajernit të Mynihut dhe të përfaqësueses gjermane, Tomas Myler.
Mançester Junajtid është i interesuar për transferimin e sulmuesit të Bajernit të Mynihut, Tomas Myler dhe, madje, gjigandja e Premier Ligës Angleze është duke përgatitur një ofertë të jashtëzakonshme për blerjen e futbollistit të përfaqësueses gjermane dhe kampionit në fuqi të botës.
Sipas mediave britanike, “Djajtë e kuq” e kanë identifikuar Mullerin si përforcimin e nevojshëm në “Olld Treford”. Dhe, për këtë arsye, për transferimin e tij, Mançester Junajtid ka bërë gati një kontratë pesëvjeçare me rrogë të lartë, që së bashku me çmimin e blerjes do të arrinte shifrën e 170 milionë eurosh.
Në fakt, Myler ka deklaruar së fundmi se nuk planifikon të largohet nga “Allianz Arena”, mirëpo Mançester Junajtid nuk dorëzohet dhe insiston në transferimin e tij. Ajo që duhet theksuar se trajneri holandez i “Djajve të kuq”, Luis Van Gal, ka tashmë një fond bujar në dispozicion.
Kjo, pas një marrëveshjeje faraonike prej 750 milionë stërlinash, afro një miliardë eurosh, që klubi anglez ka arritur me gjiganden e veshjeve dhe pajisjeve sportive “adidas”. Ndërkohë, është e njohur praktika e Bajernit të Mynihut që u mundëson lojtarëve të tij që, pas disa vitesh kontribut në klubin bavarez, të largohen drejt klubeve të tjera kundrejt përfitimeve më të mëdha financiare për veten.