AlbanianSport.com 06.02.2016 20:45
ASNN – Xhudistja Majlinda Kelmendi i ka sjellë një tjetër medalje ari Kosovës. 24-vjeçarja është shpallur fituese në Çmimin e Madhe të Parisit (Paris Grand Prix), pasi në kategorinë e peshës trupore deri 52 kg, ka mposhtur në finale rumunen Andrea Çitu. Kelmendi është sportistja më e talentuar e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë sport dhe njëkohësisht mban vendin e parë në renditjen botërore për këtë peshë.
24-vjeçarja ka fituar medaljen e artë në dy botërore radhazi, në 2013 dhe 2014 dhe vendin e parë në Evropianin e vitit 2014. Kështu, Majlinda Kelmendi ka shkëlqyer në finalen e Parisit duke u kurorëzuar me medaljen e artë. Në finale, ajo e mposhti rumunen me “Ippon”, kur kishin kaluar 39 sekonda të ndeshjes. Edhe pse nuk ishte e para në renditjen e këtij turneu prestigjioz të Parisit, pejania ia ka arritur të dalë e para.
Këtë e kishte bërë edhe dy herë të tjera. Përmes një postimi në “Facebook”, trajneri i saj Driton Kuka, ka thënë se “është një ndjenjë e çmendur” kjo fitore e Majlindës. “Prapë e artë – Majlinda dridh Parisin ngadhënjen në finale për gjysmë minute, ndjenja të çmendura në Berci!”, – ka shkruar Kuka. Përveç Majlinda Kelmendit sot Kosovën e kanë përfaqësuar edhe dy sportistë të tjerë.
Bëhet fjalë për Akil Gjakovën, në kategorinë e peshës trupore deri në 66 kg, si dhe Nora Gjakovë në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kg. Por të dy janë eliminuar në çerekfinale në kategoritë përkatëse. Akil Gjakova është eliminuar nga belgu Keneth Van Gansbeke, ndërsa Nora Gjakova është eliminuar prej xhudistes nga Kanadaja, Kathin Bëshemin-Pinard.