Gjergj Vyshka 15.08.2016 10:05
Tapeti i kuq për kampionen olimpike dhe pritje nga kryeministri Isa Mustafa. Shpallet “krenaria e Pejës”, ndërsa ka deklaruar: “U punua shumë për këtë medalje olimpike”. Majlinda Kelmendi, kampionia olimpike e Kosovës, është pritur si heroinë në Prishtinë. Ajo ka mbërritur nga Rio të dielën pasdite në aeroportin “Adem Jashari”, ndërssa për të është shtruar tapeti i kuq.
25-vjeçarja u prit nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, por dhe mijëra banorë të Prishtinës, të cilët kishin dalë për të përshëndetur heroinë e tyre, e cila tashmë është një shembull pozitiv për të gjithë. “Kemi punuar shumë për të arritur këtë sukses që shumë shtete e kanë ëndërr për ta arritur, – tha ajo. – Realisht rruga për të arritur këtë sukses ka qenë shumë e vështirë, me shumë pengesa.”
“Por shpresoj shumë që brezat e rinj nuk kanë për t’i pasur”, – u shpreh kampionia olimpike në Xhudo, Majlinda Kelmendi. “Është sukses tepër i madh i Kosovës. Është një dëshmi e punës së mrekullueshme, vetëmohuese të Majlindës, por edhe të trajnerit. Ju falënderoj të dyve për këtë fitore dhe dhuratë shumë të madhe që i bëtë Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.