AlbanianSport.com 10.09.2016 09:05
ASNN – Në kampin verdhjeshil të futbollit shtyrjen e sezonit të ri të Kategorisë së Parë po mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum për të rikuperuar ato të meta që janë shfaqur në takimet miqësore. Ndeshje të cilat Lushnja i ka zhvilluar në kuadër të kësaj faze përgatitore verore për sezonin e ri. Për mediat sportive të ditës, sekretari i KF “Lushnjës”, Olsi Stambolliu shprehet i qetë në lidhje me ecurinë pozitive që ekipi do të ketë në nisjen e këtij kampionati, i cili në fakt ende nuk është përcaktuar zyrtarisht për një datë fikse.
“Shtyrja e startit të këtij fillim kampionati për shkak të problematikave me detyrimet financiare dhe licencimet e disa ekipeve garuese nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për ne”, – thotë në nisje të mendimit të tij zyrtari lushnjar, duke vazhduar më tej: “Ne po mundohemi të shfrytëzojmë këtë kohë shtesë për të eliminuar në maksimum ato gabime që janë shfaqur në testimet miqësore që kemi zhvilluar. Natyrisht çdo shtyrje kampionati me argumente të paplanifikuar dhe subjektivë nuk është një faktor pozitiv në mbarëvajtjen e garës.
“Kjo për faktin se do të bëjë të mundur zhvillimin e dy ndeshjeve në javë për të mbaruar kampionatin në kohën e duhur, – ka vijuar ai. – Por ne jemi të përqendruar në përgatitjen e ekipit për të realizuar një start pozitiv të kampionatit. Besoj se kemi një grup futbollistësh cilësor, të cilët janë kompakt dhe njohin mjaft mirë lojën e njëri-tjetrit, pasi kanë vite që luajnë bashkë. Vlerësojmë kundërshtarët që i shohim si konkurrentë të kreut në grupin tonë, por nuk i trembemi askujt. Me një garanci financiare të sigurt dhe me një grup kompakt dhe cilësor futbollistësh, që kemi në dispozicion, mendoj se Lushnja do të jetë ekipi lider në grupin tonë”, – ka përfunduar Stambolliu.