AlbanianSport.com 07.11.2016 19:50
ASNN – Lushnja ka shkuar dëm një epërsi dygolëshe, duke u detyruar të kënaqet me një pikë të vetme përballë Sopotit, në takimin e javës së 7-të në Kategorinë Superiore. Takimi i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka parë dy gola të shënuar nga Lushnja në pjesën e parë, të cilëve u janë përgjigjur librazhdasit me dy gola në minutat e fundit.
Ka qenë një sfidë skajesh dueli i luajtur të hënën pasdreke në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës dhe i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, pasi Lushnja kryesuese dhe Sopoti i vendit të fundit kanë shënuar nga dy gola për secilën pjesë loje dhe kanë ndarë një pikë secila. Pjesa e parë e ndeshjes ka nisur praktikisht me gol.
Pas vetëm 6 minutash lojë, Branica do të përfitojë nga një rrëmujë brenda zone dhe do ta përcjellë topin në rrjetë. Lushnja kalon kështu shumë shpejt në epërsi, por Sopoti reagon dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Librazhdasit do të rrezikojnë në minutën e 19-të, pas një goditjeje këndi, por lushnjarët rezistojnë dhe, gradualisht, e kthejnë lojën në barazpeshë.
Madje, në minutat e fundit të pjesës së parë, Lushnja do të fitojë edhe të drejtën e një 11-metërshi, që shndërrohet në gol nga Sefa. Me këtë epërsi dygolëshe të miqve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohin një Lushnjë më të tërhequr, të kënaqur me administrimin e epërsisë dhe një Sopot gjithnjë e më kërkues dhe më agresiv në kërkim të goditjes së portës kundërshtare.
Madje skuadra librazhdase ka patur dy raste të pastra për shënim në minutën e 60-të, por dy herë portieri Spaho ka reaguar shkëlqyeshëm, duke shmangur një gol të sigurt. Lushnja do të kundërpërgjigjet me një rast 15 minuta para fundit, me një goditje të pasaktë të Branicës nga jashtë zone.
Por gjithçka do të ndryshojë në 4 minutat e fundit të kohës së rregullt, pasi fillimisht Mitraj, në minutën e 86-të, dhe, dy minuta më pas, Polisi, do të gjejnë dy herë rrugën e rrjetës, duke rikthyer barazinë në shifra. Përfundimisht mbyllet në barazim 2-2 kjo sfidë dhe Lushnjës shkëputet edhe më në krye të renditjes, ku tanimë ka 19 pikë, 8 pikë më tepër sesa dy ndjekëset, Tomori dhe Bylisi.