AlbanianSport.com 06.11.2014 08:55
ASNN – Nuk ka të ndalur Partizani as kur bëhet fjalë për Kupën e Shqipërisë. Në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, të kuqtë kanë korrur fitoren e radhës falë një goli të Cuculit. Pavarësisht shifrave minimale, loja është dominuar nga kryeqytetasit, megjithëse ishin në fushë praktikisht me formacionin e dytë.
Nga ana tjetër, Bano u ka dhënë hapësirë alternativave të stolit, duke nisur që nga porta e deri në sulm për të pasur sa më të freskët titullarët për ndeshjen e fundjavës ndaj Butrintit në Kategorinë e Parë. Fillimisht protagonist është bërë Lorenc Trashi, i cili rikthehej për herë të parë si kundërshtar në Lushnjë dhe që ka marrë duartrokitjet e tifozëve vendës.
Përgjatë lojës, pikë së pari për t’u veçuar ka qenë një traversë e goditur nga mbrojtësi bullgari i të kuqve, Dishliev, pas gati 10 minutash. Ndërkohë që edhe lagunarët me Allkanjarin kanë rrezikuar të kalojnë në epërsi rreth fundit të pjesës së parë. Përsa i takon minutave në vazhdim, është dalluar shqiptaro-slloveni Osmanaj, si ndër më aktivët dhe kërcënuesit e portës lushnjare.
Sidoqoftë, atëherë kur dukej se çdo gjë do të ndahej në barazim, ka menduar Cuculi 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, në të 80-n, për të prishur ekuilibrin, përmes një goditjeje dënimi nga rreth 17 metra. Një sukses i të kuqve që i bën të jenë më të qetë për takimin e kthimit pas 2 javësh në Tiranë.
Lushnja – Partizani 0-1
Shënues: Cuculi 80’
Lushnja: Harremi, M. Sula, Shurdhi, Musaku, S. Çela, E. Bakiasi, Bushi, Taullau (Mezini 75’), E. Gjyla, Allkanjari (Sharka 73’), Shkoza (Shkurti 12’). Trajner: A. Bano.
Partizani: Xhika, Muskaj, Rrahmani (Ibrahimi 46’), Dishliev, Cuculi, Trashi, Daja (Ismaili 85’), Mustafa, Shabani, Osmanaj, Fazlliu (Vatnikaj 46’). Trajner: Sh. Duro
Gjyqtarë: E. Sino, I. Tartari, E. Pashaj (Fier)