AlbanianSport.com 28/06/2020 22:25
ASNN – Lushnja ka vuajtur, por ia ka dalë të marrë një fitore 3-2 në fushën e vet ndaj Pogradecit, në takimin e luajtur të dielën në mbrëmje dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport. Në fakt, përballja e luajtur në Stadiumin “Roza Haxhiu” pa praninë e tifozëve, ka nisur e luftuar, me raste të mira nga të dyja skuadrat.
Sidoqoftë, kanë qenë vendasit ata që kanë kaluar të parët në epërsi pas 21 minutash lojë, kur kapiteni Mikel Canka rrotullohet në kufijtë e zonës dhe godet mjeshtërisht, duke mposhtur portierin mik dhe duke përshëndetur rrjetën. Pogradeci nuk do të pajtohet me golin e pësuar dhe do ta hedhë vështrimin drejt portës kundërshtare dhe, në minutën e 28-të, Shkulaku i ka të gjitha mundësitë, por goditja e tij gjen shtyllën e majtë të portës lushnjare. Dhe rregulli i pashkruar i futbollit, që po nuk shënove, do të pësosh, e godet menjëherë Pogradecin, pasi Lushnja gjen golin dytë.
Pogradeci prapë nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të sulmojë e do ta gjejë më në fund golin, pak minuta më pas, ndonëse për ta quajtur atë të vlefshëm, u deshën dy minuta. Çerekora e mbetur nuk do të sjellë gola të tjerë dhe pjesa e parë do të mbyllet me shifrat 2-1 në favor të lushnjarëve. Pjesa e dytë do të sjellë edhe dy gola të tjerë dhe fillimisht është Pogradeci që barazon shifrat në mënyrë të pazakontë. Por 10 minuta para fundit, Canka do të fitojë me zgjuarsi një 11-metërsh, të cilin do ta kthejë vetë në gol.
Lushnja fiton 3-2 dhe mban gjallë shpresat për vendin në “play-off”-in për ngjitjen në Kategorinë Superiore, teksa ngjitet në vendin e dytë të renditjes së grupit B, me 41 pikë, dy më tepër sesa Lushnja, por plot 5 pikë pas Apolonisë kryesuese, që të dielën mposhti Besën me shifrat e pazakonta 8-5.