Gjergj Vyshka 07.02.2015 07:35
Kryesfida e javës së 13-të të grupit të Jugut në Kategorisë së Parë do të jetë ajo që do të luhet sot në Stadiumin “Roza Haxhiu”, midis Lushnjës kryesuese dhe Dinamos së vendit të dytë.
Të dyja skuadrat janë larg njëra-tjetrës me një pikë diferencë. Ndaj dhe ndeshja merr vlera, sepse një fitore e Lushnjës do të thotë forcim i kryesimit për verdhejeshilët e Banos, kurse një sukses i bluve të Mehmetit i nxjerr ato në vendin e parë në Jug.
Barazimi i mban të dyja ekipet në të njëjtat pozita në renditjes. Ndaj dhe për të mundur Dinamon, klubi ka bërë thirrje për sa më shumë tifozë sot në “Roza Haxhiu”. “Ejani të mundim Dinamon”, – thuhet në thirrjen e lushnjarëve.
“Duhet të jeni sa më të shumtë, ndërsa kemi marrë masa dhe për tifozët e Dinamos, që pritet të jenë sot në stadium”, – ka qenë apeli i verdhejeshilëve për tifozët e tyre, në prah kësaj sfide.