AlbanianSport.com 28.02.2015 07:35
ASNN – Lushnja e Artan Banos e ka marrë seriozisht ndeshjen me Luftëtarin, të cilën do ta luajë sot pasdite në Gjirokastër. Është një ndeshje që për verdhejeshilët vlen për mbajtjen e kreut.
Dhe në këtë këndvështrim, pasi kanë bërë stërvitjen e fundit, lushnjarët e Banos janë nisur dje rreth orës 14:00 drejt Gjirokastrës, teksa në qytetin e ngurtë kanë kaluar dhe mbrëmjen e së premtes.
Ajo që duhet theksuar është fakti se gjatë gjithë javës në përgatitjet e tyre si lojtarët, ashtu dhe stafi teknik i Lushnjës, e ka vlerësuar ndeshjen me Luftëtarin si mjaft të rëndësishme për ecurinë në kampionatin e Kategorisë së Parë.
“Përballë kemi Luftëtarin, që kërkon pikët e mbijetesës, kurse ne kërkojmë pikët për të mbajtur kryesimin”, – kanë deklaruar verdhejeshilët, ndërsa vëmendja është padyshim tek Mikel Canka.
Ai ende po kërkon të shënojë golin e parë me fanellën e Lushnjës që nga kthimi i tij nga Apolonia. Kësisoj Lushnja kërkon maksimalen nga përballja me Luftëtarin në Gjirokastër.