Gjergj Vyshka 08.01.2015 10:35
Lushnja si kryesuese e grupit të Jugut të Kategorisë së Parë vazhdon të presë ish-ët e saj. Mikel Canka dhe Erjon Xhafa i kanë marrë ofertat zyrtare prej verdhejeshilëve, në një kohë që të dy futbollistët kanë pranuar se kanë oferta dhe nga ekipet e Kategorisë Superiore. Megjithatë në Lushnjë thuajse e bëjnë fakt të kryer që Canka do të jetë me ta, ndërsa firma mbi kontratë mbetet vetëm çështje burokracie.
Mirëpo një tjetër futbollist të cilin Lushnja e pret është edhe sulmuesi i Teutës, Brunild Pepa. Sipas verdhejeshilëve ai ka mbetur pa ekip e si i tillë, së bashku me Cankën, do të ishte një dyshe e frikshme në sulm për kundërshtarët në grupin e Jugut. Vetë futbollisti, në një prononcim për faqen në “Facebook” të KS Lushnjës, ka bërë të ditur se nëse do të ketë një ofertë konkrete nga verdhejeshilët dhe mund të kthehet tek skuadra e vendlindjes.
“E vërteta është se kam disa oferta nga skuadra të Kategorisë Superiore”, – ka pohuar ai. – Por mund të kthehem dhe në qytetin tim të lindjes nëse drejtuesit e Lushnjës do të më bëjnë një ofertë konkrete.” Në Lushnjë e presin të gjithë ta kenë në skuadër dyshen Canka-Pepa, por këtë lojtar e ka kërkuar dhe Luftëtari. Gjithsesi vetë sulmuesi e ka lënë të hapur opsionin për të luajtur me Lushnjën në pjesën e dytë të sezonit.
Ndërkohë trajneri i lushnjarëve, Artan Bano, ka deklaruar se skuadrës i nevojiten një mesfushor i djathtë dhe një sulmues. “E ne jemi të bindur se brenda javës do t’i zyrtarizojmë këto futbollistë”, – ka përfunduar Bano, ndërsa Lushnja shpreson të ketë në dispozicion dyshen Canka-Pepa.