Nga Klodeta Gjini 19.09.2016 14:20
Ish-lojtarja bardheblu: Mendoj se karriera ime nuk ka qenë kalimtare. Mbaj titullin e Mjeshtres së Sportit dhe i kam dhuruar basketbolit vitet më të bukura të rinisë sime. Lumturi Hoxha është një ndër lojtaret e plejadës së artë të basketbollit të Tiranës së viteve 80-90. E jo vetëm, sepse është pjesë e ekipit kombëtar të të rriturave, të cilat më 1987 në Latakia të Sirisë do të merrnin medaljet e arta në Lojërat Mesdhetare. Gërshetuar me nivelin e lartë të Flamurtarit, Skënderbeut, Vllaznisë, Partizanit dhe Apolonisë, apo dhe ekipeve të tjera, basketbolli i femrave prodhoi cilësi.
Lumturi Hoxha nuk ka qenë rastësisht në ekipin e Tiranës në basketboll për femra. E ardhur nga klasa sportive në shkollën “Avni Rustemi”, teksa është stërvitur nga Bukuroshe Shtiza (Bellova), për të kaluar tek të rejat me Jeta Pelivanin dhe Anjeza Dule. E më pas me Vaso Shakën e deri në fund të karrierës me Kujtim Kasmin tek të rriturat, Lumturi Hoxha krahas motrave Alibegaj, Klodeta Dibrës, Nora Goxhi, apo më parë dhe Valentina Myrtos, do të krijonin atë plejadë të artë të basketbollit të femrave të Tiranës.
Tituj kampion e Kupa të Shqipërsë, Spartakiada Kombëtare dhe Lumturi Hoxha do ta mbyllte karrierën e saj me titullin “Mjeshtre Sporti” pa ceremoni. E jo vetëm kaq, por nuk përfshihet bashkë me familjen e saj sportive në historinë e basketbollit shqiptar. Për më gjerë AlbanianSport.com do t’ju sjellë në dy ditë, të martën dhe të mërkurën, intervista e saj për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, të realizuar nga rekordmenia e kërcimit së gjati në atletikë, Klodeta Gjini, një tjetër sportiste e Tiranës.
Vijon nesër…