AlbanianSport.com 12/10/2018 17:05
ASNN – Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra luan të shtunën ndeshjet e javës së dytë të tij dhe gjithçka nis në Rrëshen, me takimin midis ekipit mirditor, që është ngjitur këtë sezon në nivelin më të lartë, në Grupin A1, dhe Teutës. Kjo e fundit fitoi në sete në javën e parë në Lushnjë ndaj skuadrës vendase, ndërsa Mirdita u mund, por sidoqoftë mori një pikë në atë humbje 2-3 në kryeqytet përballë Barleti Volejit.
Ndeshja e Rrëshenit nis në ora 13:00, ndërsa në të njëjtën kohë, në Korçë, Skënderbeu, që u mund në 3 sete në kryeqytet në javën e parë përballë Partizanit, pret Lushnjën. Ndërkaq, duke nisur nga ora 15:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Barleti Volej pret në kryeqytet Vllazninë, e cila javën e shkuar u mund në 3 sete në Shkodër nga Tirana.
Kjo javë e dytë mbyllet me takimin e fundit, atë të orës 17:00, derbin e kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit, që do të luhet në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”. Në prag të ndeshjeve të javës së dytë, Partizani, Tirana dhe Teuta kryesojnë renditjen me nga 3 pikë secila, të ndjekura nga Barleti Volej me dy.