AlbanianSport.com 08.05.2016 08:00
ASNN – Nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria Superiore, po i afrohet fundit të këtij sezoni, por kur duhen edhe 3 ndeshje titulli “kampion” nuk është vendosur ende.
Në kuadër të javës së 34-t, Skënderbeu do të luajë sonte në orën 19:00 me Teutën në Durrës. Trajneri i korçarëve, Mirel Josa e shikon këtë si një sfidë të vështirë para “finales” me Partizanin.
“Kjo ndeshje që luajmë me Teutën, një skuadër që ka objektiva për të luajtur në Evropë, për mua është si të luash me ekipin ndjekës tëndin”, – ka thënë trajneri kryeqytetas i korçarëve.
Takimi midis Teutës dhe Skënderbeut, që do të luhet në Stadiumin “Niko Dovana” të qytetit bregdetar, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndërkohë, tek Partizani, pas barazimit në derbi do të presin Bylisin. Të kuqtë luajnë me një ekip që është i rrezikuar të zbresë një kategori më poshtë. Kapiteni Alban Hoxha pranon që janë ende në garë për titullin edhe pse 4 pikë larg Skënderbeut.
Por ai shpreson që korçarët të ndalen në Durrës, teksa thotë: “Dëshira është e madhe që Teuta t’i rrëmbejë pikë Skënderbeut.” Të gjitha sfidat e javës së 34-t luhen sot dhe, duke nisur nga ora 16:00, zhvillohen përballjet Laçi-Kukësi dhe Vllaznia-Tërbuni.
Ndërsa duke nisur nga ora 19:00, luhen ndeshjet Flamurtari-Tirana, Partizani-Bylis dhe Teuta-Skënderbeu.