AlbanianSport.com 22/01/2021 22:25
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit të Femrave do të luajë këtë fundjavë javën e nëntë. Ndeshjet e kësaj javë do të luhen në të dyja ditët e fundjavës, me 3 ndeshje që do të luhen të shtunën 3 dhe 3 përballjet e tjera që do të luhen të dielën. Në ndeshjet që do të zhvillohen ditën e shtunë spikat derbi kryeqytetas ndërmjet Kinostudios dhe Tirana AS, e cila do të zhvillohet në Qendrën Sportive Kamëz.
Kinostudio, e vendit të 6-të do të kërkojë fitoren ndaj ekipit tjetër kryeqytetas, Tirana AS, që gjendet në vendin e 5-të, me një pikë më shumë se skuadra pritëse. Juban Danja do të udhëtojë drejt Fierit, në përballjen me Apoloninë e vendit të dytë, për të synuar fitoren e radhës, pas 3 pikëshit të marrë në shtëpi ndaj Skëndërbeut. Sidoqoftë, fieraket janë një “kockë e fortë” dhe pritet një ndeshje e bukur.
Lushnja e vendit të parafundit do të udhëtojë drejt qytetit juglindor të vendit, Korçë, ku do të tentojë të marrë fitoren e dytë sezonale përballë Skënderbeut në fushë të huaj. Ndërkaq, derbi shkodran Vllaznia-Akademia AAS do të zhvillohet ditën e diel në Stadiumin “Reshit Rushi”. Kampionet janë ekipi i vetëm që ka pikë të plota pas 8 javësh kampionat.
Kampionet absolute të topkëmbës së vajzave do të kërkojë fitoren e 9-të përballë rivales shkodrane, Akademia AAS, e cila gjendet në vendin e 8-të, me 9 pikë. Po të dielën, ekipi i Tiranës do të presë në Stadiumin “Skënder Halili” në kryeqytet Bilisht Sportin e vendit të fundit, ndërsa po në të njëjtën orë, Teuta do të përballet me Partizanin në aneksin e Stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 9-të:
Të shtunën, 23 janar 2021:
Kinostudio – Tirana AS ora 13:00
Apolonia – Juban Danja ora 13:00
Skënderbeu – Lushnja ora 13:00
Të dielën, 24 janar 2021:
Vllaznia – Akademia AAS ora 11:00
Tirana – Bilisht Sport ora 13:00
Teuta – Partizani ora 13:00