AlbanianSport.com 04.12.2016 17:15
ASNN – Kamza vazhdon të mbetet e pathyeshme në grupin B të Kategorisë së Parë, pasi ka fituar edhe në Kavaja ndaj Besës, me shifrat 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje. Takimi, që ishte i vlefshëm për javën e 11-të, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka mbyllur sot javën e saj të 11-të, me takimin midis Besës dhe Kamzës.
Sikundër ka ndodhur të premten, kur ka sjellë takimin hapës të kësaj jave, atë që u luajt në Pukë midis Tërbunit dhe Besëlidhjes dhe që u fitua nga skuadra mike me rezulatin 2-0, por edhe të shtunën, ka ardhur një tjetër ndeshje, ajo midis Sopotit dhe Pogradecit, që përfundoi në barazim 2-2, edhe përballja e së dielës, që u luajt në Kavajë duke nisur nga ora 14:00, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pjesa e parë është mbyllur me epërsinë minimale të miqve, pasi Vilfor Hysa realizon në minutën e 25-të, duke përfituar nga mefshtësia e portierit dhe mbrojtjes vendase. Ndonëse Besa ka rrezikuar të shënojë në minutën e 53-të, kur ka goditur shtyllën, Kamza ka gjetur edhe golin e dytë, 12 minuta më pas, me anë të Aris Doçit. Mbyllet kështu 2-0 kjo sfidë në favor të Kamzës kryesuese, e cila ia del të ruajë bilancin e saj prej 100 % fitoresh, teksa kryeson renditjen e grupit B, me 31 pikë, pas 11 fitoresh në po aq javë.