Gjergj Vyshka 28.02.2015 09:35
Vllaznia i është bashkuar kreut të renditjes në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, që aktualisht, edhe për shkak të koshaverazhit më të mirë se shkodranët, por dhe fitores në ndeshjen direkte në Shkodër, mbahet nga Tirana.
Në fakt ajo që duhet theksuar është fakti se shkodranët kanë pasur vështirësi për të fituar me Partizanin, edhe sepse kanë pasur mungesa në formacion, ndërsa për arsye dëmtimi nuk kanë qenë të pranishëm Llazani dhe Arra.
Por në të njëjtën kohë dhe hyrja me vonesë në parket, sepse tani u rikonstruktua për herë të dytë parketi i Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, e ka penalizuar jo pak Vllazninë.
Nëse kanë fituar dje shkodranët gjithçka ka ardhur nga fakti se Partizani nuk e ka mbajtur ritmin që duhej dhe kur ishte me një diferencë prej 10 pikësh epërsi.
Madje duket sikur krijohej përshtypja që të kuqtë, edhe pse Florian Ismeti dhe Kujtim Çaçi kanë qenë më të mirët, pas tyre dhe Merkaj me tripikëshat e tij, nuk kanë pasur besimin në vetvete se mund të fitonin me kampionët.
Çka do të ishte më e bukur për garën e kampionatit. Sot do të luhen dy takimet e tjera të javës së 15-të dhe, duke nisur nga ora 16:00, Apolonia pret në Durrës Flamurtarin, ndërsa dy orë më pas, luhet supersfida Tirana-Kamza Basket.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Java e 15-të
(27-28 shkurt 2015)
Të premten:
Partizani – Vllaznia 76-87
Të shtunën:
Apolonia – Flamurtari ora 16:00
Tirana – Kamza Basket ora 18:00
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Tirana 14 13 1 1228-915 27
- Vllaznia 15 12 3 1240-1013 27
- Partizani 15 8 7 994-1057 23
- Kamza Basket 14 8 6 1065-862 22
- Flamurtari 14 2 12 946-1117 16
- Apolonia 14 0 14 782-1275 14