AlbanianSport.com 03/01/2018 20:15
ASNN – Në kuadër të javës së 5-të të Grupi A1 të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, në kryeqytet u luajt një prej ndeshjeve më të bukura e më të forta të këtij edicioni, dueli mes Partizanit dhe Mirditës. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, skuadra e kuqe shihej favorite, por nuk rezultoi kështu, sepse vajzat e skuadrës mirditore bënë një ndeshje të shkëlqyer dhe fituan me rezultatin e thellë 3-0, duke u konfirmuar si një nga skuadrat pretendente.
Seti i parë ishte domethënës në këtë rrugëtim të ndeshjes, sepse miket nga Mirdita e fituan me shifrat 18-25, pastaj fituan të dy setet në vijim me të njëjtat shifra: 19-25. Pra një fitore e thellë 3-0 e Mirditës, që, edhe pse është rikthyer vetëm këtë sezon në nivelin më të lartë të volejbollit shqiptar të femrave, ngjitet në vendin e dytë në renditje, pas Tiranës. Kjo e fundit regjistroi dje një fitore të lehtë e pa shqetësime në Korçë përballë Skënderbeut, me rezultatin 3-0.
Natyrisht, Tirana është skuadra favorite për titullin dhe është në pozita mjaft komode, sepse në 5 javë të luajtura ka 5 fitore dhe pikë të plota në klasifikim. Korçaret nuk patën forcën dhe zgjuarsinë për të bërë befasinë në këtë përballje, duke iu dorëzuar kështu Tiranës. 19-25, 15-25 dhe 19-25 ishin shifrat e seteve që i dhanë fitoren ekipit të trajnerit veteran, Ardian Gorenxës. Me rezultatin 3-0 fitoi edhe Barleti Volej, i cili mundi në Durrës ekipin e Teutës.
16-25 përfundoi seti i parë, ndërsa dy setet e tjerë përfunduan me shifrat e njëjta 19-25. Një fitore e merituar e Barleti Volejit, që ngjitet në vend të tretë. Një fitore spektakolare regjistroi të shtunën edhe Vllaznia, e cila mundi në Krutje Lushnjën me rezultatin 3-2. Ishte një nga ndeshjet më të bukura të kësaj jave, për shkak të rivalitetit dhe emocionit që prodhoi, ndonëse duhet theksuar se të dyja skuadrat morën pikët e para të këtij sezoni, përkatësisht dy për shkodranët dhe një për myzeqarët.
Kampionatit Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 5-të
Të shtunën:
Lushnja – Vllaznia 2-3
(20-25, 25-22, 15-25, 25-19, 7-15)
Skënderbeu – Tirana 0-3
(19-25, 15-25, 19-25)
Teuta – Barleti Volej 0-3
(16-25, 19-25, 19-25)
Partizani – Mirdita 0-3
(18-25, 19-25, 19-25)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Tirana 5 5 0 15
- Mirdita 5 4 1 13
- Barleti Volej 5 4 1 12
- Partizani 5 3 2 8
- Teuta 5 2 3 6
- Skënderbeu 5 1 4 3
- Vllaznia 5 1 4 2
- Lushnja 5 0 5 1