AlbanianSport.com 11.05.2016 07:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra ka nisur dje fazën e tij të “play-off”-it final, me takimet e para të gjysmëfinaleve, ku përballë njëra-tjetrës janë vënë Flamurtari dhe Vllaznia, në njërin çift dhe Goga Basket-Tirana, në çiftin tjetër. Në takimin e zhvilluar dje në mesditë, vlonjateve u është dashur të lodhen shumë për të mundur Vllazninë, e cila kishte fituar pjesën e parë.
Përvoja e të besuarave të Viron Toskës bën diferencën dhe përmbysja është e garantuar, duke e fituar të gjithë ndeshjen 76-63, duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt kalimit në finalen për titull “kampion”. Ndërkohë, në takimin e parë të çiftit tjetër gjysmëfinal, Goga Basket Goga Basket ka mundur 82-70 Tiranën.
Takimi më i shumëpritur i gjysmëfinaleve u zhvillua në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, një ndeshje që dhuroi emocione dhe rivalitet në shumicën e kohës. Tirana, e karikuar pas fitores në Superkupë ndaj Flamurtarit, rivalizoi dhe u përpoq të mposhtë durrsaket, por shpesh gaboi, duke u nxituar në veprimet sulmuese.
Goga Basket u tregua më e saktë në momentet vendimtare dhe përballoi presionin e Tiranës, duke e merituar fitoren. Pjesa e parë është e ekuilibruar dhe me rivalitet, teksa të dyja ekipet i përgjigjen mirë njëra-tjetrës. Në pjesën e dytë vjen shkëputja e ekipit durrsak, që udhëheq me 12 pikë, 45-33, duke luajtur më mirë.
Tirana luan me hope, ngushton hera-herës shifrat, por pa mundur t’i barazojë ato. E tillë ndeshja luhet gjatë gjithë pjesës së dytë, por durrsaket shkëputen në minutat e fundit dhe fitojnë 82-70, duke udhëhequr 1-0 me ndeshje.