AlbanianSport.com 05.11.2014 17:05
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur sot ndeshjet e para të turit të dytë të saj, ku rezultatet nuk ofruan ndonjë të papritur. Sikundër pritej skuadrat e Kategorisë Superiores kanë triumfuar, kryesisht, ndërsa ka pasur edhe ndonjë barazim apo humbje befasuese si në rastin e Skënderbeut në Pukë dhe Teutës në Fier. Flamurtari ka regjistruar fitoren më të thellë, atë 6-1 ndaj Veleçikut, të cilin e ka pritur në shtëpi, edhe pse kalendari parashikonte që vlonjatët të ishin në fushë të huaj.
Mirëpo, si në turet e kaluara të kësaj veprimtarie, skuadrat pa infrastrukturë të duhur sportive kanë bërë kompromis për t’i luajtur ndeshjet në “folenë” e kundërshtarit. Fitore të thellë ka korruar edhe Vllaznia në Krujë, ku ka shënuar plot 4 herë ndaj Kastriotit vendës, duke hipotekuar praktikisht vendin në çerekfinale. Ndërkaq, kampionët në fuqi kanë ngecur në Pukë. Skënderbeu i Mirel Josës nuk kanë qenë në gjendje të shënojnë qoftë edhe një herë të vetme ndaj Tërbunit.
Duke qenë se ndeshjen e kthimit do ta luajë në Korcë, Josa nuk ka dashur të rrezikojë ndonjë dëmtim, duke i këshilluar të tijtë të mos përkushtohen maksimalisht dhe ta shfrytëzojnë këtë 90-minutësh si një test kontrolli. Nga ana tjetër, Adrian Cuculi, me shiritin e kapitenit në “Roza Haxhiu”, ka bërë diferencën me golin e vetëm të ndeshjes Lushnja-Partizani. Me ekipin e dytë ka luajtur sot në Kupë edhe Pogradeci ndaj Kukësit dhe kjo ia ka lehëstuar edhe më shumë misionin skuadrës së Artim Shaqirit.
Verilindorët kanë fituar 2-0 në fushë të huaj, duke qenë praktikisht të kualifikuar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Ndërkohë, Laçi nuk kursehet në Elbasan, si në formacion, edhe në gola. Trajneri Cungu ka luajtur me formacionin titullar, duke shënuar tri herë në portën verdheblu dhe dalë me fitore nga “shtëpia e kuqezinjve”. Edhe pse ka shënuar dy gola në këtë ndeshje kupe, Elbasani ka dëshmuar mefshtësi si në kampionat, ku do ta ketë tejet të vështirë mbijetesën në elitë me ecurinë e deritanishme.
Me një formacion të përzier, titullarë dhe lojtarë të stolit, ka luajtur Tirana e Gugash Maganit në Ballsh. Një ndeshje jashtë fushë, fatin e të cilës e ka vendosur kroati Bushic me golin e vetëm, të shënuar në minutën e 83-të. Së fundi, Teuta e ka humbur ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë në Fier. Ky mund të konsiderohet ndoshta rezultati i vetëm i papritur në këtë tur, sepse fati i skuadrës që do të kualifikohet më tej mbetet të vendoset në Durrës, në sfidën e kthimit.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e para të turit të dytë:
Sot:
Grupi A:
TËRBUNI – SKËNDERBEU 0-0
Gjyqtarë: I. Myrtja, M. Dervishi, Gj. Bori
ELBASANI – LAÇI 2-3
Shënues: Luta 62′, Toçi 89′(11-m.) / Nimani 49′, Doku 51′, Zefi 87′
Gjyqtarë: O. Ferataj, E. Malo, N. Rrapaj
LUSHNJA – PARTIZANI 0-1
Shënues: Cuculi 80′
Gjyqtarë: E. Sino, I. Tartari, E. Pashaj
VELEÇIKU – FLAMURTARI 1-6
Shënues: Hepaj 72′ / Bregu 25′, 57′(11-m.), A. Shehaj 47′, 53′, Meto 65′, Llambro 69′
Gjyqtarë: B. Kaimi,D. Myftari, N. Bregasi
Grupi B:
POGRADECI – KUKËSI 0-2
Shënues: Periç 31′, Shameti 80′
Gjyqtarë: F. Xhemalaj, A. Mahmuti, E. Bodeci
APOLONIA – TEUTA 2-1
Shënues: Naçi 7, Mahilaj 10′ / R. Hoxha 37′
Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, Sh. Ziri
BYLIS – TIRANA 0-1
Shënues: Bushiç 83′
Gjyqtarë: H. Llapra, R. Malaj, E. Rrapi
KASTRIOTI – VLLAZNIA 0-4
Shënues: Gocaj 22′, Sosa 27′, 44′, Kraja 69′
Gjyqtarë: J. Xhaja, A. Shkreta, E. Potomi